ZYRA E PËRKTHIMIT
SHQIP - GJERMANISHT

Irene Boldt-Bregu (përkth. e dipl.)


Informacione mbi zyrën tonë

Zyra jonë e përkthimit përbëhet nga dy përkthyes: një përkthyese e betuar dhe e autorizuar nga Gjykata e Landit München për përkthimet me shkrim dhe me gojë, që e ka gjermanishten si gjuhë amtare, si dhe një përkthyes të betuar dhe të autorizuar nga Gjykata e Landit München për përkthimet me shkrim, që e ka shqipen si gjuhë amtare. Pra në këtë mënyrë ne garantojmë kompetencë gjuhësore në të dyja gjuhët.

Kompetenca gjuhësore dhe cilësia e lartë e punës kanë bërë që zyra jonë të fitojë një shkallë të lartë njohjeje jo vetëm në Mynih, por në të gjithë Bavarinë. Duke qënë të vetmit përkthyes të betuar (beeidigt) të gjuhës shqipe në qytetin e Mynihut (gjithsej në të gjithë Bavarinë ka vetëm tre përkthyes të betuar për gjuhën shqipe) ne na është dashur të përballojmë një volum të madhe pune për përkthimin sidomos të dokumentave e çertifikatave të ndryshme që kërkohen vetëm me vulë betimi nga zyra e gjendjes civile (ofiqaria) e Mynihut. Përvoja e deritanishme, korrektesa dhe çmimet e arsyeshme kanë bërë që zyra jonë të jetë adresa e parë në Bavari për përkthimet nga shqipja në gjermanisht dhe nga gjermanishtja në shqip. Aspektet kryesore të veprimtarisë sonë janë:

  • përkthimet juridike
  • përkthimi i çertifikatave
  • përkthimi i teksteve mjeksore
  • përkthimet letrare

Por kjo nuk do të thotë që veprimtaria jonë si përkthyes të jetë e kufizuar vetëm në këto fusha.

Cilësia e përkthimeve ka një prioritet absolut për ne, prandaj dhe çdo përkthim kalon nëpër duart tona. Në rastet kur për shkak të volumit të madh të punës nuk mund të pranojmë porosi përkthimi, atëherë u rekomandojmë klientëve tanë përkthyes të tjerë me të njëjtën shkallë kualifikimi.

[kthim në faqen kryesore]

Përse duhen përkthyesit e kualifikuar?

Për fat të keq profesioni i përkthyesit ( i cili përkthen me shkrim tekste nga një gjuhë në një gjuhë tjetër ose që përkthen me gojë ) nuk është i mbrojtur nga ana ligjore. Kjo do të thotë që çdo njeri që mendon se zotëron një gjuhë në atë masë sa të përkthejë, atëherë mund të thotë se është me profesion përkthyes. Përjashtim bëjnë vetëm emërtimet "përkthyes i diplomuar" (që nënkupton se përkthyesi në këtë rast është diplomuar për përkthim në universitet) ose emërtimi përkthyes i autorizuar nga organet shtetërore, i cili jepet si rezultat i marrjes së provimit për përkthyes që organizohet nga ministritë e kulturës dhe arsimit të Landeve. Për fat të keq, sidomos në rastin e gjuhëve të rralla, ekziston tendenca që ata që e dinë në një farë mase gjuhën e huaj konsiderohen si përkthyes të përshtatshëm. Është për t'u theksuar se përkthimi është më tepër se të zotërosh thjesht dy gjuhë. Në thelb, detyra kryesore e përkthyesit është që ta marrë tekstin bazë, ta ndajë në pjesë kuptimore dhe pastaj ta krijojë përsëri në gjuhën tjetër me një gramatikë korrekte dhe të kuptueshme për lexuesin. Pikërisht këtë aftësi nuk e kanë përkthyesit të cilëve u mungon kualifikimi i duhur. Gjithashtu një tjetër mendim i gabuar është të thuash se folësit e gjuhës amtare kanë automatikisht kompetencë gjuhësore. Ata që e kanë mësuar gjuhën amtare në diasporë, që shkollimin e kanë bërë në një gjuhë tjetër dhe që e flasin shqipen vetëm brenda familjes ose me shokët e shoqet e tyre, kanë vështirësi të mëdha gjuhësore. Zakonisht ata flasin vetëm dialektin e krahinës nga rrjedhin. Atyre u mungon aftësia gjuhësore për të kuptuar dialektet e tjera dhe kanë një fjalor gjuhësor të cunguar, të bazuar në termat e zakonshme brenda familjes. Nga ana tjetër nuk duam të aludojmë se vetëm përkthyesit e kualifikuar janë përkthyes të mirë. Sigurisht që ka dhe raste kur ndonjëri nuk i ka dhënë provimet e duhura pavarësisht se e kishte aftësinë për një gjë të tillë.

Nga ana tjetër mund të thuhet me plot gojë se përkthyesi i kualifikuar ka dhënë prova të pakontestueshme të aftësive të tij dhe kështu klienti e ka të qartë se po e blen një shërbim jo si derrin në thes.

[kthim në faqen kryesore]